Agron Polovina

Agron Polovina i përket grupit të piktorëve modernë shqiptarë të formuar në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë në vitet ’80 të shekullit XX. Ai kreu studimet në degën e grafikës (1980–1983) në atelienë e piktorëve Pandi Mele dhe Vlash Prifti. Polovina jeton në qytetin e Beratit, ku i rrethuar nga atmosfera artistike e traditës në art, arkitekturës dhe natyrës së një qyteti të vjetër si Berati, e filloi krijimtarine e tij si piktor peisazhist, duke ekspozuar që në moshën 19 vjeçare. Polovina në tablotë e tij me prirje realiste-ekspresioniste, realizon imazhe të pikturuara sipas konceptimit modern, ku përparësi merr ngjyra dhe dekorimi. Ai është piktor i plain-air, por realizon edhe tablo kompozicionale që frymëzohen nga legjenda e vjetër të krijimit të qytetit, inspirohet nga imazhet e shenjtorëve të afreskeve dhe ikonave, duke realizuar personazhe dhe figura reale. Artisti tashmë shkëputet nga realizmi dhe krijon tablo me një simetri gati bizantine.

sq