Sadik Kasa

Sadik Kasa lindi dhe e zhvilloi krijimtarinë e tij artistike në qytetin e Elbasanit. Ai i përket brezit të artistëve shqiptarë që u formuan në Institutin e Lartë të Arteve, në Tiranë (Shqipëri). Artisti punoi për 21 vjet me radhë si skenograf i Pallatit të Kulturës, Elbasan dhe drejtoi nga viti 2005 Galerinë e Arteve të qytetit. Pasioni për pikturën, ndikimi i impresionizmit francez e vendos Sadik Kasën në piktorët e rëndësishëm të “Plain-air”-it në Shqipëri. Vjeshta e artë, pranvera dhe dimri i peisazhit shqiptar janë motivet e mbi 1500 punimeve të mjeshtrit Kasa. Në peisazhet e artistit mund të gjesh imazhe nga e gjithë Shqipëria dhe trevat shqiptare, duke filluar nga bjeshkët e veriut e deri në bregdetin e detit Jon, rrethinat e zonës së Elbasanit, Korçës, Pogradecit, Sarandës, Tiranës, Lezhës, Kalabrisë, Ulqinit, Prizrenit etj. Kasa përdor një kolorit të pasur e me dritë të fuqishme diellore, peisazhet e tij janë realiste, por me prirje të fuqishme impresioniste. Shpesh punimet e tij kanë transparencën, bukurinë dhe freskinë e akuareleve.

sq