Maksim Bushi

Maksim Bushi i përket brezit të artistëve shqiptarë që u formuan në shkollën shqiptare realiste të skulpturës. Ai ka realizuar portrete, kompozime dhe vepra në bronz (monumente) për sheshet publike të qytetit të tij, Lushnjë. Ai ekspozoi për herë të parë në vitin 1974. Skulptura e Maksim Bushit shquhet për realizmin dhe ngrohtësinë e gjuhës plastike në tërësinë e saj. Artisti është mjaft i kujdesshëm në gjetjen dhe evidentimin e karaktereve njerëzorë, në zbulimin e psikologjisë dhe realizimit të detajeve. Një cikël punimesh artisti Bushi ja ka kushtuar motiveve nga zona e Myzeqesë, ku spikat sensi i humorit dhe pasuria psikologjike e figurave që ai trajton. Maksim Bushi ka realizuar vepra me sens humori në skulpturë dhe mjaft karikatura, të cilat i botonte në revistën humoristike të kohës “Hosteni”. Në ciklet e tij të viteve të fundit artisti merret kryesisht me temat sociale, duke gjetur zgjidhje kompozicionale bashkëkohore.

sq