Brikena Berdo

Brikena Berdo është pjesë e artistëve bashkëkohorë shqiptarë që e filluan krijimtarinë e tyre në fundin e shek.XX. Berdo kreu studimet e mesme dhe të larta për grafikë në Tiranë. Ajo punoi fillimisht me ilustrimet e disa botimeve për fëmijë dhe si mësuese e vizatimit dhe grafikës në liceun artistik “Jordan Misja”. Që nga viti 2002 është dizajner grafik në Bankën e Shqipërisë. Berdo është pjesëmarrëse me veprat e saj në pikturë në 32 veprimtari ekspozuese kombëtare dhe ndërkombëtare duke filluar nga viti 1998 (Shkurt 98,“Fillimi”, Ekspozitë mixed media, AA, Tiranë). Ajo është pjesëmarrëse e rregullt në ekspozitat e grupit “Nëntori” si dhe ka çelur tri ekspozita vetjake në Tiranë dhe Zvicër, kryesisht me ilustrime dhe piktura. Krijimtaria e saj shfaqet fillimisht me ilustrime, fotografi dhe gradualisht Berdo fokusohet në tablo kompozicionale sipas një këndvështrimi modern vetjak. Brikena Berdo, si piktore tashmë e ka konsoliduar stilin e saj piktorik, ku ndihet preferenca e saj drejt manipulimit dhe përdorimit të imazhit me prirje dekorative bashkëkohore.

sq