Atelie "Taso"

Anastas Kostandini (Taso), lindi në qytetin e Pogradecit më 23 korrik 1954 (Shqipëria jugliundore). Ai kreu studimet për pikturë në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë dhe studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, po në kryeqytet ku dhe diplomohet për pikturë Monumentale dhe Kavaleti (1978). Në vitet 1978-1981, mori pjesë si bashkëautor në realizimin e mozaikut “Shqipëria” (450m2) në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë. Taso në vitin 1983, hapi ekspozitën e parë personale në qytetin e tij të lindjes. Anastas Kostandini është piktor i rëndësishëm i artit shqiptar të shekullit XX-XXI. Për krijimtarinë e tij është vlerësuar me titullin “Piktor i Merituar” (1991) dhe “Qytetar Nderi” (2005) i qytetit të Pogradecit. Atelie “Taso” aktualisht është banesa dy katëshe e artistit pranë qendrës së qytetit. Përveç studios–atelie ku artisti krijon, të gjitha mjediset e tjera janë kthyer në ambiente muzeale me punimet e tij në grafikë, pikturë (vaj, akrilik, pastel), vizatim, mozaik dhe kolazhe. Veprat e Atelie “Tasos” arrijnë në mbi 20 000 vizatime dhe grafika, 1000 punime në pikturë dhe qindra pastele të realizuara në Shqipëri, Francë, Gjermani, Itali.

sq